UDHËZIM Nr. 13, datë 17.5.2016

PËR NJË NDRYSHIM NË UDHËZIMIN NR. 6, DATË 30.1.2015,

“PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR

 

 

Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në zbatim të nenit 159, paragrafi 2, të ligjit nr. 92/2014, datë 24.7.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”,

Ministri i Financave UDHËZON

: Në udhëzimin nr. 6, datë 30.1.2015, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhet ndryshimi i mëposhtëm:

“Neni 41, “Përjashtimi nga TVSH-ja i shërbimeve financiare”, ndryshon me këtë përmbajtje:

  1. Bazuar në nenin 53, shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh” të ligjit, përjashtohen nga TVSH-ja transaksionet financiare të parashikuara dhe të shprehura në mënyrë të qartë dhe shteruese në këto dispozita, pavarësisht nëse këto transaksione kryhen nga një institucion financiar, ose jo. Çdo transaksion tjetër që nuk është i shprehur në nenin 53 të ligjit, pavarësisht nëse është furnizuar nga një bankë ose institucion financiar apo është furnizuar për një bankë ose institucion financiar, nuk përjashtohet nga TVSH-ja.

Përjashtimi nga TVSH-ja zbatohet kur transaksioni i kryer është njëri nga shërbimet e parashikuara në këtë dispozitë. Aplikimi i përjashtimit lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me natyrën e shërbimit dhe jo me entitetin ose subjektin që ofron shërbimin dhe as personin që merr shërbimin. Identiteti i palëve është i parëndësishëm. Mënyra e ofrimit të shërbimit në mënyrë elektronike, manuale apo automatike, gjithashtu, është e parëndësishme në aplikimin ose jo të përjashtimit.

Shembull 1. Një klient paraqitet pranë një banke për të marrë një kredi. Dhënia dhe negocimi i kredisë edhe menaxhimi i saj janë operacione të përjashtuara nga TVSH-ja, kur furnizohen nga kredidhënësi. Klienti paraqet një dosje jo shumë të mirë dhe banka refuzon kredinë ose i jep një kredi jo të favorshme. Një person i tatueshëm, i cili kryen veprimtari si negociues, merr përsipër të kryejë këtë shërbim për klientin pranë bankës. Ky person mund të jetë individ ose agjenci. Shërbimi i kryer nga negociuesi për klientin nuk është shërbim i përjashtuar nga TVSH-ja, por i tatueshëm me TVSH. Shërbimi i negocimit përjashtohet nga TVSH-ja kur kryhet (furnizohet) nga kredidhënësi, që në këtë rast është banka. Edhe në rastin kur komisioni i ndërmjetësimit i faturohet bankës prej personit të tatueshëm ai është i tatueshëm me TVSH.

Shembull 2. Një bankë jep me qira bankomatin për përdorim një banke tjetër. Ky operacion nuk është i përjashtuar nga TVSH-ja edhe pse kryhet nga banka, pasi nuk është në listën e furnizimeve të përjashtuara në këtë dispozitë. Mirëmbajtja e bankomatit, gjithashtu, apo e sistemit të IT të bankës nuk janë shërbime të përjashtuara nga TVSH, për sa nuk janë shërbime financiare të listuara në nenin 53 të ligjit. Këto shërbime kryhen nga persona të tatueshëm të TVSH-së dhe u nënshtrohen rregullave të përgjithshme për aplikimin e TVSH-së sipas vendit të furnizimit.

Shembull 3. Një kompani e njohur e programeve kompjuterike prodhon një program specifik bankar sipas porosisë së një banke. Sistemi do të përdoret për sistemin e pagesave të bankës. Në këtë rast kemi të bëjmë me një furnizim shërbimi siç është shitja e software-it për bankën nga shoqëria e programeve kompjuterike. Ky shërbim është i tatueshëm me TVSH, për sa furnizimi i software-ve të çdo lloji nuk është një furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja sipas ligjit. Përjashtimi nga TVSH-ja në parim përcaktohet për furnizimin e shërbimit dhe jo për klientin që e përfiton shërbimin. Janë të përjashtuara nga TVSH-ja shërbimet financiare të mëposhtme: – Dhënia, negocimi, menaxhimi i kredive nga ana e vetë kredidhënësit.

Shembull 4. Vlerësimi i pasurisë si garanci për kredinë, i kryer nga një vlerësues pasurie është shërbim i tatueshëm me TVSH. – Negocimi ose marrëveshje të ngjashme për garantimin e kredive, ose çdo garanci që ka lidhje me paratë, ose menaxhimi i garancive të kredive, kur kryhen nga kredidhënësi;

Shembull 5. Me qëllim menaxhimin e garancisë së kredisë, një bankë i kërkon informacion institucioneve që merren me regjistrimin e pronave për të verifikuar disa prona të luajtshme ose të paluajtshme nëse kanë ose jo barrë hipotekore ose barrë siguruese, për disa klientë që kanë aplikuar për kredi në bankë. E njëjta gjë kur banka u kërkon të vendosin barrë mbi pronën për kredinë. Këto institucione, persona të tatueshëm, i furnizojnë bankës një shërbim për verifikimin dhe informacionin e dhënë të kërkuar nga banka ose për shërbimin e vendosjes së barrës apo hipotekës. Këto shërbime nuk janë shërbime financiare në kuptim të nenit 53 të ligjit, pavarësisht nëse kryhen për një institucion financiar, Banka nga ana e saj kur i faturon shërbimin klientit në përfundim të negocimit për kredinë (përfshin në shërbimin për klientin gjithë vlerën e shërbimeve që lidhen me kredinë) ia faturon si shërbim të përjashtuar nga TVSH-ja sipas nenit 53, pika “c”, të ligjit. – Transaksionet përfshirë negocimin lidhur me veprimet e këmbimit, depozitat, llogaritë rrjedhëse, furnizimin e likuiditeteve nëpërmjet pagesave, transfertave, huadhënia, çeqet dhe instrumentet e tjera të negociueshme; – Transaksionet përfshirë negocimin lidhur me valutën, kartëmonedhat apo monedhat e përdorura si mjete ligjore pagese; – Transaksionet përfshirë negocimin në aksione, kuota, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione e tituj të tjerë, përveç titujve për mallrat dhe të drejtat ose titujt mbi pasurinë e paluajtshme që përcaktohen në nenin 8, të ligjit;

Shembull 6. Shoqëria “Invest” merr përsipër sipas një kontrate shërbimi ti sigurojë dhe ofrojë klientit të saj i cili menaxhon një fond investimi të dhënat e kërkuara në lidhje me fondin e investimit. Gjithashtu, ajo proceson, verifikon formularët e investitorëve potencialë, duke siguruar që ato të jenë përpiluar, deklaruar dhe paguar korrekt. Këto shërbime shoqëria i kryen kundrejt pagesës. A duhet të konsiderohet shërbimi i ofruar nga shoqëria “Invest” si një transaksion i lidhur me transferimin ose negocimin e titujve/letrave me vlerë? Këto shërbime janë shërbime me natyrë administrative mbështetëse dhe si të tilla, shërbimet administrative mbështetëse që nuk shkaktojnë një ndryshim të pozicionit financiar dhe ligjor të palëve, nuk janë shërbime të përjashtuara.

Gjithashtu, shërbimet për “menaxhimin dhe ruajtjen e titujve” përjashtohen shprehimisht nga aplikimi i përjashtimit të TVSH-së sipas pikës “dh” të nenit 53 të ligjit.

– Përjashtohet, gjithashtu, bazuar në nenin 152 të ligjit furnizimi dhe importimi i arit për investim.

  1. Bazuar në nenin 53 të ligjit, përjashtimi nga TVSH-ja nuk aplikohet për transaksionet e mëposhtme: – Shërbimi i mbledhjes së borxhit

Shembull 7. Një bankë ka dhënë kredi e cila nuk është shlyer. Banka kryen veprime për mbledhjen e borxhit të saj duke bllokuar në llogarinë e klientit shumën e kredisë së pashlyer dhe një komision shtesë (e ngjashme me veprimtarinë përmbaruese). Komisioni që banka përfiton nga llogaria e klientit në këtë rast është pagesë për mbledhjen e borxhit e cila është e tatueshme me TVSH.

– Transaksionet përfshirë negocimin për monedhat dhe kartëmonedhat për koleksion, që do të thotë monedha ari, argjendi apo monedha të tjera metali ose kartëmonedha që nuk përdoren normalisht si mjet ligjor pagese ose monedha që paraqesin interes numizmatik;

– Transaksionet për menaxhimin apo ruajtjen e aksioneve, kuotave, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, si dhe titujt mbi mallrat dhe të drejtat apo titujt mbi pasurinë e paluajtshme që përcaktohen në nenin 8 të ligjit;

– Qiradhënia e kasafortave edhe nëse ky shërbim kryhet nga një bankë është i tatueshëm për TVSH-në. Shërbimet e renditura në këtë pikë nuk janë shteruese. Çdo shërbim tjetër, i cili nuk bën pjesë në shërbimet e përjashtuara të përcaktuara në nenin 53 të ligjit, të renditura në pikën 2 të këtij neni, janë furnizime shërbimi të tatueshëm me TVSH. 3. Bazuar në pikën “e”, të nenit 53 të ligjit përjashtohet nga TVSH-ja, menaxhimi i fondeve të investimeve, në kuptim të ligjit për sipërmarrjet e investimeve kolektive.”

. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

    MINISTRI I FINANCAVE

Arben Ahmetaj